Çaste poetike me poeten;-Elona BABULI

Fryma e Tokës
——————–
Në fytyrën time flet vjeshta me ngjyrë,
rrënjët e drurëve prekin lëkurën.
Unë jam bashkimi i tokës me dritën,
jam heshtja që ngroh edhe furtunën.
Gjethet më ndjekin si kujtime të vjetra,
çdo rënie e tyre, një fjalë e pathënë.
Në degët e mia rrjedh jeta e tretur,
por brenda meje lind dielli sërish
çdo mëngjes. Sytë e mi —
dy pasqyra të qiellit,
mbajnë brenda stuhitë që s’i sheh askush.
Në to shkrin trishtimi, rilind guximi,
dhe fryma ime bëhet krah i fluturës blu.
Unë jam gruaja që flet me stinët,
që digjet në vjeshtë e lulëzon në pranverë.
Jam rrënjë, jam gjethe, jam frymë dhe jetë, jam
Fryma e Tokës — që rilind çdo herë.
/QendraPress/