Çaste poetike me poeten: Farie BISHA

Poeti …
——————-
i vetëm bregut shëtiste,
ashtu i rënë në mendime.
Shoqëri e vjetër me pulëbardhat e detit.
Silueta e tij e hollë,
si një hije pa trup humbiste në
monotoninë e së përditshmes.
Anije e ankoruar gjatë në mol
më të bukurat pasione,
tërhiqte speranzën nga bregu.
Në detin e hapur të fantazisë të lundronte
velat e bardha ngrinte, pa busull,
drejt qiellit të perëndimit…
Rrymat sillnin të largët shtegtarë.
Grepin hidhte,
ai peshkatari i ëndrrave.
Çfarë do të binte në atë grep?!
Linte jetën ta zbulonte…
Sytë e thellë prej qielli
humbisnin në blunë e argjendtë.
Duke imagjinuar orfe e ciklopë
fjalët me kujdes i zgjidhte,
si perlat për qafën e
një gruaje të bukur.
Ëndërrimtari i pandreqshëm i
detajeve ngjyroste me kujdes fjalët.
Vetëm ai e njihte kodin e tyre të fshehtë…
Në linjën blu horizontale,
ku kobalt marine,
përzihej me jeshilin smerald,
peng zemrën linte.
Këngë sirenash poezitë e tij.
Thërrisnin të humburit marinarë
në kërkim të tokës së premtuar,
të dehur me rum mesjete.
Ndonjëherë ktheheshin në krahë fluture…
Atë pluhurin e argjend në
majë të gishtave ta linin…
Farie Bisha. Rimini. 13.8.2024
/ëëë.QendraPress.com/