Çaste poetike me poeten: Fatbardha Xhani Myslimaj

HARRESË

———————-

Kam një mijë punë në të njëjtën kohë;

Të laj duart, të fsheh frikën, të duroj lëndimet…

Nuk kam më kohë për veten asnjë minutë

Lulet më presin t’i ujis në secilën mbrëmje!

Axhenda mbushur emra nëpër të gjitha oraret

Njerëzit mezi presin të më tregojnë dhimbjet

Vajzat më telefojnë t’u them se i dua fort

Nëna pret ta kujtoj sa herë marr frymë

Poezia pret ta mbush me vargje dritë!

Për veten asnjë sekondë nuk mbetet

Harrova të ulem e qetë e të pi kafen time

Të shetis e të këpus lule fshehtas në rrugë

Të shoh veten e t’i them: je ende e bukur!

Harrova lëndimet që më bënë femër

Harrova të ndjej regëtimat në zemër

Harrova gabimet që më bënë grua,

Harrova veten ta dëgjoj e ta dua!

/www.QendraPress.com/