Çaste poetike me poeten:-Fatbardha Xhani MYSLIMAJ

NJË TJETËR GRUA
————————–
E dini,
Shpesh nën zë
Them se kam lindur
Për të qenë një tjetër grua
Komplet tjetër nga kjo që jam!
Mbushur plot
Me guximin e krisur
Bërtas të vërtetat pa frikë
Nisem nëpër udhëtime e vetme
Takoj njerëz të çuditshëm nëpër rrugë!
E lirë dhe flu
Shëtis si polen nëpër ajër
E gjithë dëshira e pjalmimit tim
Pëllcet prej zemrave të verdha lulore
Pa frikën e keqkuptimit, them fjalën time!
Lëkundem lehtë
Nën puhinë e erërave
Padashur rrëzohem përtokë
Nuk vritem e ngrihem sërish e sërish
Prej prushit nxjerr flakën e dëshirës zjarr!
Ndris netëve
Në dritën e xixëllonjës djeg
Gjithë çastet që i lashë të kalonin
Pastaj përvëloj veten pa menduar
Në mendjelehtësinë e dëshirave flakë!
Shpesh e shoh
Diku ku askush s’e di
Dikë që e njoh shumë mirë
Atë grua me sytë si vetëtimë
Që thotë me zë të prerë: e dua dhe pikë!
/QendraPress/