Çaste poetike me poeten;-Gerta BANDILLI

POEZIA E VJESHTËS…

—————————–

Po end vjeshtën

Me gjilpëra mendimesh

Siç bëj çdo vit

Kur filloj të rrëzoj gjethet një nga një

Ku zogjtë i nis larg

Në vise të panjohura lagunash

Me ujëra të ndenjura por të hidhura.

Unë jam përgjegjëse edhe nëse vjeshta vonon.

Po thur vargje të vranët

Me litarë shiu që i këput vetëm era

Dhe i vendos mbi gjoksin e qiellit.

E marrë jam kur dua të zotëroj erën

Dhe më e çmendur kur e mësoj të flasë!

Po nuk më jepet të punoj me gjilpërë!

Gjyshja ime kur vinte vjeshta

ishte e përhumbur

dhe piqte gështenja.

Nëna ime më rriste mua në vjeshtë

Dhe nuk më mësuan si qepen vjeshtat

Kështu që unë i thur si mund,

Që kur të vijë mbrëmja ta shthur

pëlhurën e gjetheve…

Nesër vjeshta rrëzon përsëri….

/QendraPress/