Çaste poetike me poeten;-Hanife R. SALIHU

Oj Shotë Galica, Zëri i Lirisë

(Në përvjetorin e vdekjes, më 1 korrik 1927)

———————————————————

Oj Shotë Galica, krenari shqiptare,

Në zemrat e vajzave u bëre yll ndriçtare,

Frymëzim për motrat tona, për çdo zemër shqiptare,

Je forcë, je zemër, je zjarr i këtij vendi,

Na mësove si t’i dalim zot tokës e dheut të shenjtë të atdheut.

Jo vetëm me trimëri të madhëroi ky popull i lashtë,

Por edhe me bukurinë e thjeshtë, me gërshetin që nuk fashitet kurrë,

Sa herë shohim vajza me gërshet të gjatë,

Me mall e krenari themi: Shiko, si Shotë Galica është bë.

Emrin tënd shumë vajza sot e mbajnë me nder,

Emri yt, Shotë, është bërë jehonë ndër breza,

Është këngë, është legjendë, është kushtrim që s’plaket,

Dikur edhe grupet ilegale për çlirim bartnin emrin tënd .

E sot, në përvjetorin tënd të shenjtë, të bardhë,

Të kujtojmë me nder, e me mall.

/QendraPress/