Çaste poetike me poeten;-Hava MUÇOLLARI

Brenda syve që ndizen sërish

—————————————–

Çarçafët me ujëra, në tel era çapkëne i gudulis,

Fëshfërijnë degët e kajsisë në një oborr, atje tej

Edhe pse qielli nga kraharori i ka përzën retë,

Ndjej aromën e shiut që më lag nëpër dej.

Ti s’do të doje të më shihje me qerpikë të lagur,

S’do të doje t’i ngjaja as një vere të thatë, gri,

Menjëherë do më vishje fustanin e mjegullt të pranverës,

Si një dallëndyshe që etja e pret në liri.

Ti je zgjuar vonë! Shumë vonë!

Zëri yt humbet në zërat e zogjve përreth,

Si një bulkth pranë liqenit, klith i lodhur netëve,

Trishtimi i të cilit dhe gjallesat më të largëta i ngjeth.

Bëhu rreze që mëngjeseve të mia natyrshëm zbret,

Mbi gjethe e mbi bar si pika vese të ndrish,

Me zjarrin tënd thaje shiun mbi qerpikët e trishtë,

Që brenda syve të zezë me bisht të ketë prush,

e të ndizen sërish.

/QendraPress/