Çaste poetike me poeten ;Havë SHABANAJ
Në pragun e bardhë të Istogut
/Kushtuar Heroit të Kombit Ibrahim Rugova/
Unë ia di saktësisht shenjtërinë atij pragu.
Që të lindi me gazmend e të bëri flakadan.
Të dha ngrohtësi zjarri në oda, te oxhaku,
Të dha mençurinë që askush nuk e mat.
Unë ia di lumturinë atij guri te porta.
Që mbeti kanatehapur sa herë ti vije.
Ti ishe rrezja që e kërkonte tërë Kosova.
Ti mbete kënga e parë në buzët e çdo fëmije.
Unë ia di krenarinë atij pragu të thjeshtë
Ku gurët e rrugës flasin për hapat e birit.
Ti mbete si dielli që shpërndan ditëve retë
Për shpirtin tonë mbete aromë e rrallë trëndafili.
E vargu vihet në peshën e rëndë të fjalës.
Me shallin tënd sikur ka edhe më ngrohtë.
Kur deti të na nxjerrë dhëmbët e dallgës
Do të të kemi si prijatar që udhën na drejton.
E ndiej frymën tënde në kopshtijet me mollë
Më gazmon ajo buzëqeshja që lindi në ato livadhe.
I këndojmë fëmijëve për ty ninullën më të ngrohtë
Ia japim bekimin nuseve dhe djemve mes dasme.
Istog, 25 qershor 2021
Pesha e lirisë
——————————
Matanë lirisë Është krejt ndryshe trokëllima e lugëve.
Buka që ndahet heshturazi me kafshata.
Flladi që lëvrin i qetë mes drurëve.
Zogu që vjen ngadalë të dritarja.
Matanë lirisë
Dashuria bëhet monedhë pa vlerë.
Puthjet e munguara bëjnë një film me psherëtima.
Dhimbja bëhet zot në shtrat e tryezë.
E ajri sikur të godet nga zagushia.
Matanë lirisë
Kënga bëhet me pentagramë gjaku.
Çelësat e dyerve bëhen si kasafortë.
Ejjjj, i hiqni këpucët e lodhura te pragu!
E këndoni për lirinë ca tinguj të ngrohtë!
Matanë lirisë
Është një klithëm që shpon dhjetëra gjokse.
Është një udhë me shumë semaforë.
Më thuaj si skuqen kokrrat në një degë molle?
Më thuaj ç’tinguj ka kënga e fëmijëve në oborr?
Havë Shabanaj