Çaste poetike me poeten; Ibadete S.LIVAREKA
Fjala shqipe
—————————–
U rrit lule fjala e mori fuqi
shkëmb e gurë po mbahej në kohë me acar
në sy me atdheun me britma çau qiellin
Zgjohu o Naum na duhet Evetar.
Mes drithërimash, vetëtimë terrin depërtoi
në trungje përkëdhelte degët nën kurorë
flakë ra mbi mizorët që e shuan Luarasin
pse donte ta kthente çdo shtëpi në shkollë.
Si plaku dërmuar që urtësinë e bartë
dhe nëpër gëzime me bukuri mbretëroi
I gërmoi hujet e feve që përçanin
rreth shpirtit të shkronjave pishtarët i bashkoi.
Pishtar si Gjergji dhe si Mithati
nën flakën e kandilit jetën e panë
nga perde ngatërruar zgjidhën e radhitën
secilës në vete dritë shpirti iu dhanë.
Çdo shkronjë në letër mori shpirt e jetë
u la si dheu në gjak dhe rrëke loti
pluhuri i kohës nuk mundi t’i mbulojë
me dorë hyjnie i pastroi Zoti.
/www.QendraPress.com/