Çaste poetike me poeten:- Indira Avdyl HOXHA

Pse Heshta
————————
Heshta… kur zërat bërtisnin pafund,
kur fjalët therin, si thika mbi gjurmë.
E mbaja në vete një mallkim të butë,
luftoja për mirë, në heshtje, pa zhurmë.
Çdo ditë më peshonte një det i fshehur,
me zemrën që qante, me shpirtin e prerë.
Por nuk flisja, s’thosha asnjë fjalë,
mendoja se heshtja do sillte të bardhën nga e kaltra.
E qetë në pamje, si gjethja në erë,
por brenda më digjte një zjarr pa mëshirë.
S’isha e fortë, thjesht e përmbajtur,
çdo dhimbje që vinte, e ktheja në lutje të vajtuar.
Kush pa ndonjëherë se sa lodhje mban heshtja?
Kush ndjeu peshën e asaj që nuk u tha?
Unë isha aty, për ta, gjithnjë pranë,
por heshtja ime, s’u kuptua asnjëherë nga asnjë.
Ata kërkonin zë, fjalë me kuptim,
unë jepja vepra, në mënyrën time – me shpirtin tim.
Më quajtën e ftohtë, të largët, të thatë,
por nuk panë luftën që zhvillohej brenda natë pas nate.
Në heshtje u mundova të mbroj, të ndërtoj,
të ruaj çdo zemër që s’donte të lëndohej.
Por askush s’e pa – këtë shpirt që mundohej,
as sytë që mbusheshin e prapë nuk lotohej.
Pse heshta, pyes veten në mes të natës,
sepse besoja se heshtja do zbulonte të vërtetën e fjalës.
Por mësova vonë, me plagë në kraharor:
ata që s’na dëgjojnë kur heshtim, s’na njohin as kur flasim fort.
Tani s’kam më zë, s’kam as nevojë,
kjo heshtje është shenjë e një zemre që s’do të ngrejë zhurmë.
Po dhemb, por mbron — si mur i heshtur në stuhi,
sepse dashuria ime luftoi, edhe kur askush s’e pa asgjë në sy.
/QendraPress/