Çaste poetike me poeten;-Kumrie Avdyl SHALA

JETO PËR QEFIN TËND

(Një mirupafshim që nuk zbehet me kohën)

——————————————

Po largohem…

Në heshtje.

Jo nga inati, as nga zemërimi.

 Por se nuk dua të të lëndoj më shumë

se sa po më lëndon vetë mungesa jote.

Si një gur i thyer në zjarrin e një vullkani,

po iki. Po iki sepse të dua,

 e të duash ndonjëherë

do të thotë të dish kur të largohesh.

 Ti nuk e kupton sa i rëndë ishte ky vendim,

 sepse nuk më le asnjë rrugë tjetër.

Më detyrove të zgjedh…

Heshtjen,

ndërsa zemra më bërtet.

 Me zemër të copëtuar them një “mirupafshim”

që s’është veçse një klithmë e brendshme,

si të mos ishim dashur kurrë.

 Gjasme.

E di…

Ishte zgjedhja jote.

Por ne nuk e dinim si harrohet.

Nuk e kishim në gjuhën tonë.

Ti ishe dritë në sytë e mi —

ajo dritë që s’e fik as nata më e gjatë.

Kur të kaloj pranë qytetit tënd,

do të më rëndojë ajri.

Kafen,

atje te shatërvani,

do ta pi ngadalë,

duke kërkuar aromën tënde në gotë.

Sepse një gjë e di: Do të më mungosh…

 gjithë jetën.

Ti nuk më dhe asnjë zgjidhje,

veçse të largohem në heshtje,

pa zë, si ata që ikin pa kthim,

por me gjithë dashurinë në krah.

 Të uroj të arrish majat —

 edhe ato që duken të ngrira si një ajsberg.

Ti gabove në emëruesin tonë të përbashkët,

ashtu siç gabojnë ata që besojnë se e

panjohura s’mund të na shpjerë drejt mrekullisë.

Tani…

 jeto për qejfin tënd,

por jo me dashurinë time.

Ajo nuk e njeh më këtë rrugë.

&  &  &

Jeta s’është e drejtë –

———————-

herë-herë të lë në mjegull, pa udhë

, pa dritë, pa kthim.

E ne ecim…

pa e ditur se ku shpie kjo rrugë,

derisa historia, një ditë, pas dekadash,

të flasë e të na rrëfejë të vërtetën,

ashtu siç foli për kalin e vdekur –

në heshtje.

Në burg u mblodhën ëndrrat,

ideatorët e lirisë –

aty u shua fryma e tyre,

shpesh në vend të gabuar.

Na dogjën stinët,

verat më përvëluese se plumbi.

E unë,

E djegur nga malli,

për ata që s’i pashë më kurrë.

Ti,

plase nga heshtja,

nga mungesa e buzëqeshjeve,

Të kaçurrelit, heroit tonë

që vetëm në ëndërr na del.

Jeta, prapë, s’është e drejtë.

Toka ende mban gjurmë e aromë gjaku,

gjak i freskët i djemve tanë,

që i falën rininë Kosovës,

dhe lanë pas veç kujtime –

motra që s’qanë më,

nëna që mbajtën zi,

gra që mbetën pa burrë,

fëmijë që u rritën me hije.

Ata sot janë burra,

por shteti ua kthej shpinën.

Pushtetarët harruan

se mbi dhimbjen qe mbajtën

 ne supe për baballarët e tyre,

na erdhi kjo liri.

Liria – e fituar me dhimbje,

me trupat që nuk i gjejmë dot,

me varret që s’u hapën kurrë.

E ne?

Po hedhim valle nëpër qytet,

pa pyetur nëse

dëshmorët na shohin.

A i kemi në mendje?

A po i mbajmë fjalët e tyre gjallë?

Jeta është e padrejtë për të mençurit,

për ata që flijohen në heshtje.

O Zot,

na ruaj nga pabesia e brendshme,

nga tradhtarët me kostum.

/QendraPress/