Çaste poetike me poeten;-Lola MEÇAJ

Frymë e ngrohtë

————————–

Po bien ca fjollë bore mbi ne,

frymëmarrjen ta ndjej si tis i ngrohtë

edhe në gjumin e ëndrrës ngrohtë frymon

Jemi kalimtarë deri nesër kur udha të pritet,

s’jemi kalimtarë në një copë dashurie

Ti prej lisi të fortë lëkurë ashpër

thua se njeh lotin edhe të plagosesh,

është sikur poeti s’njeh dashurinë

Jemi si dy gjysma bote,

dhe gjumin ndarë e kanë

njëra fle, gjysma tjetër zgjuar.

Kur s’fle të hedh ca yje mbi tëndin gjumë,

t’i mbaj thesar të t’bëjnë dritë

kur yjet të shuhen të gjithë,

ëndrrat të t’fshihen

Tani kam kohë të t’shëtis në mendime,

kam kohë të t’shkërmoq ditë-netë të tua pa mua

Një herë të bëhem frut i thartë,

i ëmbël tjetrën herë

Po….mos ma bëj ujin të shëllirtë të pij pak,

mos ma ëmbëlso të velem

Sa herë u hidhëruam e s’u gjetëm,

gërmova te ti si shkëmbin me thua,

nuk është mirë as lumturi as dhimbje,

një gjallesë pa frymë,

një send pa formë

Nëse ende ke dashuri,

falja jo çdokujt që del në udhën tënde,

falja vetëm asaj që të dhemb shpirti

Nëse vragat gërvishen e bëhen plagë,

shërimi është i gjatë,

thyerjet e eshtrave s’ngjiten më

Kurrë mos i’u arratis dashurisë,

kurrë mos u bëj rrëmujë nga drita,

ngjyra e qiellit mos t’u bëftë kurrë errësirë

S’dua të them kurrë jam vetëm,

as nën lëkurë të ruaj hidhërim,

jam plot,

ndaj më eja e paqtë dashuri

jo vetëm si liman kur strukem nga stuhia

Ti e di,

gjuha ime flet çka zemra,

një e vërtet e hidhur melhem mbi plagë

/QendraPress/