Çaste poetike me poeten;-Lola MEÇAJ

Ti s’e di se…
————————
Të jam ngatërruar bukur në gjakun tënd të kthjellët.
Netëve lidhur të kam me gërshetat e hënës,
ditëve mbrapa më merr si fishkëllimë e buzëve të tua.
Ti s’e di se…
Rrënjët e mia shpërndarë gurëve shkripëzuar,
më kthehen lumturisht në sfera të ajërta,
kapen pas flokëve të erës e puthen.
Ti s’e di se…
Të jam gjaku i nxituar ndër deje,
sfidë e bukur si kërcenjtë ruajnë sythet nën sqetull,
degë e vjetër kumbulle e para harlisur nën dëborë.
Puthjet t’i mbjell mbi gjurmë të tua,
në pëllëmbë t’i mbaj si lule dimri çelur.
Ti s’e di se…
Më je dashuri e gjetur dritës së diellit.
Shpirtin ma zhveshe nga dimra të moçëm,
si eshkë më djeg ngadalë,
se kohë e vjetër është e vdekur,
s’është më gjallë si cipë e hollë mbi plagë.
Ti se di se…
Nuk më lë të numëroj ëndrra mbuluar myshqesh,
të vesh fustane harresash,
se mëkat është të puthësh asgjënë,
jo të puthësh mëkatin.
Ta dua dorën mbi timin sup
por jo rëndë si mali mbuluar me borë.
Lola. Meçaj
/QendraPress/