Çaste poetike me poeten ;-Lola MEÇAJ
Stinë vonuar
——————————–
Ti… ngele udhëtimi im i pafund,
unë mbulohem me gjethe vjeshte,
nën tinguj të ëmbël të brishtë.
Stinët janë ngatërruar,
gjethet ende gjallë,
ende fëshfërijnë,
trokasin ende.
Orkestra në qiell trazuar në rrahje shpendësh,
vjeshta më pikturon qiejve vija avionësh,
ç’më duhen vështrimet e qiellit kur rrahje zemre
vijnë nga gjethe puthur me tokën.
Janë po ato rrënjë toke në etje,
inatet prej inati pa zbutur dot,
Unë kam zbutur inate kur qiejt i
kafshonin gjarpërime rrufesh,
copëtuar përplaseshin mbi timen tokë,
edhe gjurmëve të tua
Ne… ngelëm në mes të rrugës,
në udhën gjysmë pa nisur,
si ëndrra që s’u tret,
por unë jam era mbi udhëtim zogjsh,
shkronja V në qiell,
fuqia e shtegtarëve në fluturim,
se si vijnë e se si ikin,
si e ndezin qiellin,
si e ngrohin tokën
Jam ishulli i paqtë i virgjër,
rrahur nga dallgë e stuhi,
klithje shpendësh të egër
/www.QendraPress.com/