Çaste poetike me poeten;-Lola SHEHI

MBI ÇDO DASHURI

——————————-

Të dhash jetën mes dhimbjesh të ëmbla

Ti më jep frymë çdo çast, çdo natë, çdo ditë

Mbi gjokse nëntorësh hapëron e gjallnon jetë

Mbi gjoksin tim, zbresin e qetohen të gjitha perënditë.

Agun e përgjumur të asaj vjeshte të pramë

E zgjoi e qara jote, ajo, më madhështorja simfoni

E zgjoi dashuria e paçmuar e shpirtit tim!

Motivi që m’bën të përjetoj miliona ndjesi!

Të mora në duar e duart më dridheshin

Me sytë mbushur dritë të vura në gji

Ti dashuri qiellore që mbretërove qënien time!

Dashuri hyjnore që sfidon e triumfon mbi çdo dashuri!

T’vështroj e magjepsur tek bëhesh gati për festën

Në fundshpinë valë oqeanesh flokët pendkorbi të zi

Miliona yje t’qëndisen mbi mollëzat e praruara

Miliarda lutje e urime më gëlojnë në gji.

Dhe më vjen një dëshirë çmendurisht e çmendur,

Të të mbaja sërish në krahë, të të ushqeja sërish me gji!

Edhe njëqind kryevepra ime!

Dashuria mbi çdo dashuri!

Lola Shehi

/QendraPress/