Çaste poetike me poeten:-Lola SHEHI

PIKTURË POETËSH
———————————-
Vendosa një ditë të pikturoja dashurinë
S`numërohen telajot që shkatërrova!
Të ngjyrosja puthjen, qindra formula dispersionesh përdora,
Mijëra kombinacione provova.
Kur përdorja tone të lehta, më dilte e zbehtë.
Me tone të errëta, s`di pse më ngjante murgeshë.
Me të ndezura më dukej ca e përdalë.
Që ta ndjeja të gjallë, me ngjyrat e shpirtit vendosa ta vesh.
I flaka bojërat që deri në bërryl më llangosën
Dashuria për telajo kishte zgjedhur qiellin
Në pasarelë, u rreshtuan elegante metaforat
Si vajza joshëse trupëbronxëta, që bregun në ngasje ndjellin.
Forma modelesh i dhashë tipareve të fytyrës
Shtatin me përmasa perfekte ia konturova
Vështrimit i zbrita shkëlqimin vezullues të yjeve
Rrezet e arta të mëngjesit mbi mollëza i lëshova.
Harrova të përdorja të kuqen e ndezur
Se dielli i mëngjesit kishte qëlluar i flaktë
Peneli i joshte e i përkëdhelte si djalë në epsh
Rrekej t`i kafshonte, si mëkatari Adam, mollën e gjaktë…!
U mundova të pikturoja dashurinë time!
Frymë e shpirt harxhova!
Asgjë s`mbajta për vete!
Një ndjesi abstrakte, më dyzoi keqas,
Kisha shkruar si piktore…!?
Apo,
Kisha pikturuar si poete…!?
/QendraPress/