Çaste poetike me poeten;-Miradie Zymberi AVDULLAHI

NË VEND TË URIMIT

—————————–

Babë,

Thonë se erdhi pranvera,

sytë e tu nuk e shohin,

nuk është si vitet e tjera,

shiu bie e përzihet me lotin!

​Qielli i ngrysur rri,

zemra me dhimbje qan,

në këtë pranverë ku je ti?

Zgjohu, zgjohu e shihna, o babë!

​Zgjohu, o babë…

Zgjohu si gjithmonë, ende drita pa gdhirë!

Do të kalojnë vitet, do të ndërrojnë stinët,

por ti nuk i përcjell…

Zgjohu, babë,

se pa ty

dimër është

çdo pranverë!

​E sot, edhe datëlindja të ka qëlluar,

si të të uroj?

Larg jam, babë, as te varri s’mund të të takoj!

​Nuk po mundem,

babë, as një lule të ta sjell,

seç më plasi kjo zemër,

dhimbja shpirtin po ma nxjerr!

M’ka marrë malli zërin ta dëgjoj,

mu dogj shpirti nga dëshira

për të pa e për një përqafim.

​Po zemra ime,

të ruan brenda me dashuri,

brenda rrahjeve në gjoksin tim,

do të jetosh edhe ti!

/QendraPress/