Çaste poetike me poeten;-Nexhi HASANI

Në udhën e heshtjes sonë të mençur
———————————————-
Eh, poezia ime!
1.
I mblodha dhimbjet ,
I ktheva në vargje,
dashurinë në nota pentagrami,
vargjet i vendosa
në pëllëmbë të duarve
dhe gdhenda poezinë.
2.
Këndonte lehtë fjala,
sa dhe yjet dancuan,
Pikonte lot dhimbja,
Hënës sytë iu përvëluan.
3.
E panë “miqtë” poezinë time,
teksa danconte
mes lotit dhe gëzimit,
I panë dhe Yjet dhe Diellin
Të dritonin dhe mua…
Qielli dhe Toka,
të vetmit dëshmitarë,
Vulosur mbi fatin tim.
Nga retë u ul një Ëngjëll
Konfirmoi pavdekësinë e vargut tim.
4.
Poezia fliste qetë me mua,
S’donte kurrkush ta shqetësonte,
Ishte “prerë” aq bukur për mua,
Sa në asnjë masë tjetër dore,
Mbi pëllëmbë s’ qëndronte.
5.
Dikush tha se është e bukur,
Dikush e shëmtuar,
Një tjetër mori penj ta qendiste,
Dhe tjetri gërshërën…
U kacafytën mes vedi,
Sikur ta kishin të tyre…
Njeri thoshte është e mangët,
Tjetri priste pikëçuditëset…
6.
Eh, poezia ime!
E qepën e, e grisën
I vunë pika dhe presje,
I hoqën kokën,
I lanë këmbët…
7.
Qau poezia mbi pëllëmbën time,
Qava dhe unë me të…
E dëgjova, mes lotësh, të më thotë:
“Bukurinë, pse ma vranë?!
E përkëdhela, e mbështolla në gji,
Dridhej si në lindje të saj.
Sa trishtim!
Unë dhe ti poezia ime,
S’mundemi “botës” t’i bëjmë ballë,…
8.
U “kthyem” të dyja të “kërrusura”,
Në udhën e heshtjes sonë.
/QendraPress/