Çaste poetike me poeten:-Nita BARDHI

Në ëndrrat që u çelën e u mbyllën të bardha,

——————————————————–

shpërlaj përmallimin me ujëra që s’avullohen dot.

Përkundem në përgjumje, në varkën që s’njeh bregun,

s’humbem n’det t’mbushur dashni,

por edhe pendim mbushur plot.

Në zgjimet që hapen mes pëshpërimash të Emrit tënd

e orësh me flatra që s’di a më afrojnë tek Ti,

mbes petale e përkulur që diellit i lutet

dhe erën – Dorë Zoti – pres të më përkëdhelë mbi.

Mes fjalësh që them dhe heshtjeve që më kumbojnë brenda,

herë bëhem haik, herë rrokja e gjashtë më vret.

Në humbjen e majë-malit, ku ndriçon veç hëna,

mes vizioneve t’Tua kërkoj edhe gjej shteg.

Agimet portokall,

muzgjet e kuqërremta

i shkruaj n’kalendarin që e di që s’është i imi.

E vetmisë-shoqe që se takova kurrë

ia lëshova dorën aty ku Ty t’ra shëmbëllimi.

E dirgjem, e vuaj, gëzoj e festoj

tek rrezet e dritës mundohem mos ti vras.

Ti m’njeh këngët,

vargjet e shikimet e ngrira

e unë mbetem këtu HIÇ-i që ASGJË-n e flas.

/QendraPress/