Çaste poetike me poeten;-Raimonda BRAHA

Universi brenda meje …
————————————
Në qetësinë e brendshme,
rreh një galaktikë,
si zemër që pulson midis
dritës dhe pluhurit.
Çdo frymë që marr një
yll më ndizet mua …
çdo mendim …
një orbitë që lind nga asgjëja.
Në damarë më rrjedh koha
me dritë të errët,
më ngjizin planete ndjenjat,
më tretin kometa.
Unë jam qiell e tokë në të njëjtin trup,
një shpërthim i heshtur vetëpërjetësie…
Kur mbyll sytë,
dëgjoj trokun e yjeve,
si zëra të lashtë më thërrasin
me emra të panjohur.
Në pasqyrën e shpirtit
shoh krijimin e parë,
atë çast kur fjala u bë frymë
dhe fryma u bë njeri.
Universi s’është jashtë …
është brenda nesh,
në heshtjen ku mendja prek skajet e dritës.
Çdo dashuri është një rrotullim i galaktikës,
çdo humbje …
një vrimë e zezë ,të mëson pavdekësinë.
Në trupin tim fshihet arkitektura e qiellit,
në gjakun tim rrjedh memoria e yjeve.
Nëse ndalem për një çast, bota pushon,
se universi s’është tjetër veç
frymëmarrja e shpirtit tim…
/QendraPress/


