Çaste poetike me poeten:-Raimonda BRAHA

Eh, sa e dua vjeshtën
——————————
Eh, sa e dua vjeshtën…
kur era përkëdhel tokën
si një kujtim i vjetër,
dhe gjethja, në rënien e saj të butë,
rrëfen historinë e çdo fundi një fillim të ri …
Nëpër rrugët ku heshtja ka zë,
hapat e mi tingëllojnë si
nota të një kënge të harruar
çdo trokitje në gur,
një mendim,
çdo frymë ajri, një ndjenjë pa emër.
Vjeshta nuk vjen, ajo kthehet,
si një mik i lashtë e
mbart aromën e kujtesës,
më shikon në sy, pa folur,
më mëson artin e lamtumirës
me buzëqeshje.
Sa herë bie një fletë,
bota përkulet pak …
për të dëgjuar frymën e saj të fundit.
Unë e ndjej në gjoks atë rënie të butë,
si një dashuri shuhet,
por lë dritë në kujtesë.
Ka diçka hyjnore në vjeshtë
trishtimi nuk është dhimbje, por urtësi,
një fund nuk vdes,
por rilind,si drita e shuhet për t’u bërë agim.
Eh, sa e dua vjeshtën,
jo pse është e bukur,
por se është e ndershme,
ajo s’fsheh asgjë …
as rënien, as ndryshimin,
por më mëson se gjithçka shuhet,
e bën vendin më pjellor
për të dashuruar sërish.
Dhe unë ec nën qiellin e saj të argjendtë,
duke menduar se ndoshta njeriu, si gjethja,
është më i gjallë në çastin kur bie,
sepse më në fund,
mëson të pranojë veten …
ashtu siç është e ashtu siç vitet ndryshojnë…
…jeten me të gjitha stinët
/QendraPress/