Çaste poetike me poeten;-Rudina Muharremi BEJA

MË DUHET
————————
Më duhet të shpik fjalë të tjera
Për të përshkruar jetën me ty;
Gjuhët e botës kanë me mijëra,
Por ende s’mjaftojnë për çudi.
Më duhet të ndërtoj një qiell të ri,
Të fluturojmë bashkë pa kthim e pa frikë;
Ky planet është i vogël për ritmin tonë,
S’mban dot një dashuri që rritet çdo ditë.
Që forca e rëndesës s’vlen çdo herë;
Më duhet vetë Ajnshtajnit t’ia shpjegoj:
Shputat e mia nuk prekin në tokë
Kur drejt teje çdo mbrëmje vrapoj.
As Arkimedi s’gënjente kur thoshte
Se botën, po të gjente pikëmbështetje, e sposton;
Është e thjeshtë të besoj te ti përherë,
Është e bukur të di se dhe ti beson.
Edhe Kepleri s’gaboi me orbitat e kohës:
Kur je larg, yjet vetë rrotullohen ngadalë;
Qielli rëndon më shumë mbi supe
Dhe deti, i qetë, qëndron pa valë.
Më duhet të shpik një univers tjetër,
Ku koha s’ka numra, tinguj e peshë;
Të rikrijoj veten, çdo qelizë, çdo thërrime,
Dhe ti pranë meje përherë të jesh.
Edhe sikur të ishe vetëm një grimcë drite,
Do të të ndiqja nëpër kozmos, deri në pafundësi;
Ligjet le t’i thyej, rregullat le të flenë,
Zemra ime të qëndrojë atje ku je ti.
/QendraPress/