Çaste poetike me poeten;-Sadbere Gagica SPAHIJA

Faqja e Katërt e Ditarit – “Betimi im”
———————————————————-
Sot, para shpirtit tim dhe gjithë asaj që kam përballuar,
bëj këtë betim:
Nuk do të përkulem më për t’u pranuar.
Nuk do t’i përgjigjem më ftohtësisë me lutje.
Nuk do ta ul më zërin që zemra ime të
mos duket shumë e gjallë.
Unë jam grua që kam dalë nga hiri i vetes
jam rrëzuar pa dëshmitarë dhe jam
ngritur pa duart e askujt.
Kam mbledhur veten nga pluhuri i përbuzjeve
dhe kam endur shpirtin tim në heshtje.
Nuk dua të jem e përsosur —
dua të jem e vërtetë.
Të qesh kur dua, të qaj pa turp,
të hesht kur fjalët s’ia vlejnë.
Le të më keqkuptojnë, le të flasin,
se unë e di kush jam:
jam ajo që di të qëndroj edhe kur dhemb,
ajo që zgjedh paqen edhe kur heshtja
dhemb më shumë se britma.
Nga sot,
nuk kërkoj më aprovimin e askujt.
Do të mbjell qetësi në mendjen time,
do të ruaj dinjitetin tim si kopsht
që s’e shkel askush pa leje.
Dhe kur të më kapë mërzia,
do t’i them vetes:
“Ti nuk u shkatërrove.
Ti u rrite.
Ti u ktheve në dritë.”
/QendraPress/