Çaste poetike me poeten;-Shqipe BYTYÇI

MARS PA KRAHË
————————-
Kan zbritë mënxyrat edhe këtë mars
jan ulur dhe pre-sin
mungon veç shpresa ime
marseve vrarë
Pritjet
si zogj të kthyer cicërojnë
gjersa marset e trazuara
parakalojnë e tallen me izolimin tim
M’lodhi rrugtimi nga marsi në mars
si një derë që hapet në të njëjtën dhomë
ndjehem e huaj, e tepër
në një trup që s’pret më pranverë
Këtë mars
nuk ka arkivole për të gjitha vdekjet
as ajër për të gjitha frymët
as bukë për të gjitha gojët
Pabesia kërkon mocion besimi
mbledhur si një kor sorrash
mbi rrënojat e shtëpisë sime
pranvera shpallet
toka mban erë karantine
mikro dhe makrokosmosi mbyllur
në të njëjtin frymë
pabesia ndërron fytyrë
virusi mëson të jetojë më mirë se ne
M’lodhi rrugtimi nga marsi në mars
ky mars premton dritë, nuk jep
a s’do duhej çdo mars
krahë fluturash të sillte
/QendraPress/