Çaste poetike me poeten;-Shqipe BYTYQI

HESHTJA E GJATË E SARAJEVËS
—————————————–
Unë quhesha Milan
në Sarajevë askush nuk thirrej
me emrin e vërtetë
Atje isha vetëm armë
një instruktor gjahu
një shifër në listën e komandantit
që kurrë nuk do të mbante përgjegjësi
Ditët dhe netët në kodër
të gjata, shurdhuese
ne prisnim “klientët”
jo turistë, jo të huaj të rastit
ishin të zgjedhur
të ftuar, të orientuar
Emra të mëdhenj
biznesmenë, oligarkë
figura në televizor
aso që flisnin për të drejtat e njeriut
të larë nga çdo mëkat
Vinin me helikopterë
makina të errëta
xham të zi
e dinin çfarë donin
kishin paguar
Ne u ndihmonim
jo për qytetin
por për njeriun-shënjestër
një familje që lëviz në errësirë
një figurë që vrapon për ujë
një tjetër për bukë
Askush s’do më kërkojë llogari
pyeti njëri
me buzëqeshje të ngrirë
Komandanti qeshi
Kush…kur, të marri fund kjo
askush s’do guxojë t’hapë këto plagë
Ata shtinin
ne rrinim pas tyre
pa pyetje, pa emra
pa fotografi
vetëm jetë të zhdukura
dhe para në xhep
Ata ktheheshin me fytyra të qeta
ne mbyllnim dosjet
dhe prisnim të tjerët
Një gjë s’më linte të qetë
Nëse të gjithë e dinë
por askush s’flet
kush është fajtor
ata që paguajnë
ne që organizojmë gjuetinë
apo ata që heshtin, edhepse e dinë
/QendraPress/