Çaste poetike me poeten;-Shqipe BYTYQI

FOL

——————–

Të jesh

kur fryma e të qenit të vret

kur çdo gjë rëndon dhe tërhiqet zvarrë

e ti nuk sheh dritë as në fundtunel

Të flasësh

kur çdo drejtësi ta kanë vrarë

kur Hamletit i thua hesht

njëjtë është, jam ose nuk jam,

kur ndjen, trupi filloi nga thembrat të vdesë

kur retinat ngrihen në ajër

kur dhembja mpihet e nuk dhemb më

e ti vegjeton nën lëkurën tënde t’akullt

Ta vendosësh

botën në bosht

ta bësh t’sillet sërish

paçka nëse bota t’ka marrë mëni

kafshatë që s’kapërdihet

vetëm vdekja s‘gjalli është

Të ngritesh

edhe po ndjeve

përgjërimin e gjetheve që bijnë

zbehjen e ngjyrave deri n’tretje

paçka, nëse edhe ti re

ti s’je gjethe

ti je frymë

shkund pluhurin, ngritu…

Të kanë gënjyer kur thanë

vetëm të çmendurit ëndrra kanë!

Beso,

ëndrrave u dalin krahë

/www.QendraPress.com/