Çaste poetike me poeten;-Shqipe BYTYQI

Pas gjithçkaje
——————————-
nuk ka më të nesërme
veç një vijë gri
që s’është horizont
po asgjësim
s’ka më fjalë, as zëra
veç një heshtje që kafshon
si kripë në plagë
S’ka tryeza
as pyetje
njerëzit rrinë
nuk presin më
as Zoti nuk flet
ka mbetur vetëm emri tij
Kujtesa , e sajuar
shpresa, e vrare
dashuria, e panjohur
as zemrat nuk janë më organe
Në këtë pas-utopi
fëmijët lindin me orare
gratë nuk shpresojnë
burrat nuk luftojnë
asgjë nuk lë gjurmë
ka mbetur vetëm hiri
dhe një zë i ftohtë
që pëshpërit
“Kështu qe gjithmonë”
Tjetër s’mbahej mend
/QendraPress/
Çaste poetike me poeten;-Vjollca ALIAJ
Shpërfytyrim
——————————
Gra,
hijeshi të zbërthyera,
të shtrira në kanavacë,
të riformësuara nga syri, dora
e gjeniut tek dashuronte
në mënyrë të çuditshme,
shkatërruese,
të pavdekshme.
Gruaja e jetës së tij
botë më vete,
pjesë universi
përthithur
mes ngjyrave,
formave të thyera,
dritës shpërthyese
mes kaosit.
Marie Tereza
ëndrra, rinia, sensualiteti.
Thellësia syve,
paqja e pagjetur
brenda vetes.
Dora Mar
errësira, inteligjenca, protesta…
Dhimbja e saj
ulërime për botën.
Fransuaza Zhilo
e vetmja larguar vetë,
ishte arsyeja.
Grua me padurimin për të qenë
më shumë muze
se njeri.
Ai nuk iu dha
mënyrës si gratë duan të duhen,
i fiksoi në përjetësi
me pasionin e tejkalimit të kohës.
Në kanavacë
u bënë më të mëdha se vetja,
të shpërbëra,
të rindërtuara,
të gjymtuara ndoshta,
shpërfytyruar,
të paharruara.
Çdo grua
histori,
udhë e re
në labirintin e shpirtit të tij.
Pikaso
s’i kuptoi dot gratë.
Ndoshta nuk e dëshironte këtë kuptim.
Ai i pikturoi,
për të mos i humbur,
për t’i sunduar,
sepse vetëm në pikturë
mund t’i duronte.
/QendraPress/