Çaste poetike me poeten;-Teuta Anif MUJI

NJË VALIXHE
———————
Një ditë duhej të merrja një vendim
Mes tokës sime dhe rrugëve të botës.
Të lë pas frikën…
Dashuria për vendin më mban peng
dhe lotët e shpirtit që rrjedhin pa zë.
Peshova dhimbjen me pak guxim
Mes një “PO” – je dhe një “JO” – je pa kthim.
Ndoqa arsyen
Mbylla zemrën me dry të ftohtë
Si mburojë në stuhi
Por harrova copëza nga vetja ime aty.
Paketova jetën time në një valixhe
Mblodha ëndrrat dhe i mënjanova
Palosa kujtimet në heshtje
Dhe mora plagët si suvenirë.
Pas e lash mallin por jo identitetin
Se rrënjët tona s’i shkul as deti as mali.
Vendlindja ime mbetet në kraharor
Kosovë, betim shpirtëror.
Disa rrugë kërkojnë zemër prej guri
Për të vazhduar drejt
Edhe kur dhimbja ta shemb trupin.
Dyert nuk i mbylla kurrë
Një lamtumirë mbeti ndër buzë
Shtëpinë e fëmijërisë, shtëpinë e babës
E lash përplot shpresë…
Mbase kthehemi një ditë.
Jeta nuk ka shtigje të lehta
Rrugën e nisa pa e kthyer kokën pas
Se zemra ime më thoshte
“Ky nuk është fundi por veç një hap…”
E çdo hap i vështirë më bëri më të fortë
Krenari e shpresë rritet në çdo portë
Dhe unë që bredh nëpër botë…
/QendraPress/