Çaste poetike me poeten; Tixhe Rexha-GËRQARI
ME SYTË E ZEMRËS
———————————–
Në Vjenë me sytë e zemrës
Babë të pashë duke punu në hekurudhë
Djersën e ballit me pëllëmbë duke e fshi
Për të sjellë monedha në shtëpi
Me mallin për ne duke u përvëluar në gji.
Duke ndejtur mendushëm në kolltuk
Duke ngrënë i vetmuar bukë
Të pashë edhe pse s’ishe aty
Se sytë e zemrës shohin me ndjesi.
Shkova në pazarin që shkoje ti
Eca duke dashtë të shkelja fërkemeve të tu
Aroma e cigares sate ishte në mu
E unë në heshtje të ndjeja duke mu afru!
Parqeve në bicirkun e tretë
Shikoja në cilën ulse
silueta juaj është mbetë.
Hijerëndë, këmbën mbi këmbë në “Belvederë”
Mu duk se të pashë duke lexu “Rilindja”e “Botën sot”
Në këtë parafytyrim timin nuk derdha lot
Edhe pse malli më këputi për ty, o Zot!
Në spitalin shumëkatësh aty te dializa
Pata një ndjesi, se ti Nënë ishe aty
E më the ti në shpirt e unë në amshim
Tani mund te gjejmë qetësi.
Se shumë merak na kishte mbetë
Pa u përshëndet ike nga kjo jetë.
Pa lamtumirë e puthje shikimesh
Me mall varur, me shpirt të vrarë
Gjysmën e zemrës pa e parë.
Ne Vjenë ndërtesa shumëkatëshe, parqe, muze e pazar
Vetëm juve ju ndjeva duke ju parë!
Sytë e zemrës shohin me ndjesi
Për herë të parë unë isha tek ju aty
vonë, shumë vonë se s’më zënin Evropë
Edhe pse në zemrën e saj e para frymoja
Por kurrë s’më lanë tek ju të udhëtoja!
Në Vjenë me tër atë infarastukturë
Që mahnitesh për ta shiku
Mbeta si e hutuar por pa e shijuar
Se sytë e zemrës me shum rrinin juve duke ju shikuar!
Sytë e zemrës i mundën sytë e ballit
Më shumë panë ata me ndjesinë e mallit.
Se Vjena e vjetër e bukur plot madhështi
Për sytë e zemrës ishte e vogël
Para prindërve të mi!
/www.QendraPress.com/