Çaste poetike me poeten;- Tixhe Rexha GËRQARI

JU ISHIT KATËR

——————————-

Ju ishit katër drita në një prag,

katër herë emra që i thërriste shtëpia

si bekim çdo mëngjes.

E një ditë…

dera mbeti hije pa hapa,

heshtja u ul në mes të shtëpisë

që u bë gërmadh, hi e shkrumb,

Atë ditë zëri u këput në gjysmë, e neve…

toka na rrëshqiti nën këmbë

duke na lënë të ecim zvarrë

me zemra që na u mplakën para kohe

plot dhembje që na rëndojnë

sa bjeshkët e kësaj toke.

E nëna…

ajo që ju mbante si rrahje zemre

nuk qau me lot, por me heshtje të thellë,

duke ju thirrur çdo natë në një gjuhë

që vetëm zemra e saj e dinte.

Dhe një ditë…

ajo nuk iku por erdh

të bashkohej me ju në amshim.

Tani…

nuk jeni më katër, jeni pesë drita në një amshim.

Pesë emra që jetojnë përtej kohe në përjetësi!

/QendraPress/