Çaste poetike me poeten:- Trandafile MOLLA

E ruajta tëndin amanet

————————————-

Si bijë, një lajm e mora nga larg

dhe erdha te ty si një Doruntinë,

kalëruar, mbi kalë, këmbët bërë gjak

Ishëm, hape derën, s’e kam harruar shtëpinë.

E mallëngjyer putha tokën e çdo prag,

një pus të vjetër me gjethe të rrethuar,

vera ka pjekur çdo gjë, dhe grurin e artë

ti i paepur kohrave të vështira u ke qëndruar.

Kalaja jote qëndron sikur dje, e fortë

krenare, e pamposhtur, ajo mundi imperatorë,

të shoh e malluar, nga sytë më dalin lot

në gjunjë ulem para teje, të puth ballë e dorë.

Valët e detit bulëzojnë shkumë të bardhë,

lozdrohen duke lagur bjeshkët kodrinore,

me bukurinë tënde gjithkush hyn si në përrallë,

pemët frutor formojnë të magjishmen kurorë.

Buzë detit ti ngrihesh krenar e madhështor,

gjiri i Lalëzit, mbushur është me turistë

me vreshtat e tua është dashuruar çdo piktor,

bjeshkën e bukur me penel kanë stolis.

Që e vogël, në labirinthet e tua kam humbur

ndaj zemra ime për ty ndjen vetëm mall,

në çdo moment Zotit për ty i jam lutur,

të sjelli për ty ditë të lumtur e të bardhë.

Ti hap krahët e më përqafon fort, fort

më rrëmben në gjirin tënd me mall shumë,

dhe të dy, ashtu përqafuar, derdhim lot

unë të puth ballin, ti sytë e mi pa gjumë.

Një zë burri në vesh më buçet, me të madhe

është zëri i gjyshit, me shpirt më thërret

-Oj kanarina ime, këtu këndo e hidh valle

unë përgjigjem:-E ruajta fjalën, tuajin amanet!

/QendraPress/