Çaste poetike me poeten;- Valbona HOTI

Ti je një libër pa titull
———————————-
Ti je një libër pa titull,
me faqe që era i kthen ngadalë,
me fjalë që s’janë shkruar ende,
por që zemra i di përmendsh.
Në sytë e tu lexoj kapituj
që s’kanë fund, s’kanë fillim,
një rrëfim që jeton në heshtje,
në mes të frymës dhe ëndrrës.
Çdo prekje është një fjalë e re,
çdo buzëqeshje një paragraf,
dhe unë lexoj, lexoj pa ndalur,
pa dashur kurrë ta mbyll faqen e fundit.
Se ndoshta në fund të historisë,
në rreshtin e fundit, me shkronja drite,
do gjej emrin tim të fshehur,
si autor i dashurisë tënde pa kufij.
/QendraPress/

