Çaste poetike me poeten;-Valbona Pasha KORDHA

Sonata e qytetit tim

——————————-

Diku një hap, një zhurmë, një tingull,

një mëngjes i vogël që hapet ngadalë

si hija mbi shpatet,

ca sytha të ënjtur,

një ëndërr, një fëmijë i ardhur,

një lule, një zog nga larg.

Një mars më i rritur,

i bukur sigurisht në pemë e në mal,

në qiell e tokë,

i mërdhirë pak në çatitë bosh,

pa flakë e oxhak,

pa frymë në oborr,

i ardhur dhe prapë…

Një sonatë mbi Vjosë,

ca erëra malli,

ca zeje të bardhë,

valët që s’pushojnë,

ca vajza e djem, ca imazhe,

ca zogj shtegëtarë…

Diku tre heronj, një tjetër dhe një tjetër,

një poet që lëvron edhe pas vdekjes,

një tingull mbi gurë,

një libër i hapur në prehrin e kohës,

një dritë në ballkonin e mbrëmjes,

një jehonë që zbret nga kalaja

dhe qyteti im i vogël jugor

bëhet sërish zë,

kujtesë

dhe frymë.

Një rrugë e ngushtë që zbret te kujtesa,

me gurë që mbajnë ende

shkeljet e djeshme,

një portë gjysmë e hapur,

një plakë që tund perden,

një emër i thënë ulët

dhe prapë…

Një mbrëmje që

vishet me heshtje të holla,

një vrap, një ecje,

një nënë që ankohet

dhe numëron me sy

ikjet, dritat, mungesat.

Po prapë ai ndihet,

qyteti im i lashtë jugor,

me një lumë në shpirt,

me një mal mbi supe,

me këngë e jehonë,

me shumë kujtime,

me dritare që dinë të presin,

pranverat që vijnë

për t’ia ngrohur sërish zemrën

dhe prapë…

/QendraPress/