Çaste poetike me poeten;-Vilma NIKA

Nuk jam vetëm!
————————–
Mendimet stinëve me erë të majme
më lulëzojnë më bëhen varg.
Ato që sjellin paqe mes valëve
ato që era mi sjell nga larg.
Ato të dielltat e verës ikur
puthur me mall dhe nostalgji.
Veç unë e varka detin soditur
ku fjalët heshtur ngrinin dolli.
Këto të vjeshtës zevzek azdisur
herë lozonjare herë buzëmjaltë.
Ku tingujt shurdhen në një poçare
dhe gjethet struken nën këmbë me baltë.
Mendimet stinëve kanë pikturuar
tablonë e jetës që mbaj mbi kokë.
Ato kur dimri me frymë në duar
më sjell pranë zjarrit një çaj të ngrohtë.
Në buzë të mbrëmjes me shiun dendur
më erdhi vargu më puthi synë.
Dhe unë hirushja e përkëdhelur
këndoj me zemër për dashurinë.