Çaste poetike me poeten;- Vjollca  ALIAJ

E përpirë

——————-

Në rrugët e Vjenës

më ndjek hapi i Mozart,

kujtimqeshur

melodia tunduese.

Dritaret hapen,

sonatat bien lehtë mbi supet e mia

si shall i lehtë vjeshte.

Sa frymë qyteti tek vallëzon me historinë!

Këmbët prekin kalldrëmin,

fillon simfonia

jam notë,

dëgjuese…

Më flasin gurët,

fasadat shpatullgjera

me vështrime shekujsh.

Qosheve shfaqet Klimt.

I heshtur, i artë, i pavdekshëm.

Sheh përmes syve të gruas së pikturuar.

Si mund të largohem?

Dashuria më ndal,

arti nder dorën përkëdhelëse…

Vjena pentagrame,

ngjyra,

ndienjë…

Aroma e kafesë së hershme,

jehonë kuarteti harqesh,

dritë puthjesh mbi ballkone.

Eja të vallëzojmë!

Jam këtu,

gjithkund

e përpirë nga Vjena

brenda saj,

ajo në zemrën time

si valsi me etjen e muzikës

për të të shtyrë në kërcime.

/QendraPress/