Çaste poetike me poeten; Zoica Gjolla POPI

Premtomë diell

—————————-

Për atë Hënë

s’do fle sonte!

Pa dashje i ktheva shpinën

u harkua… mos u lëndua?

Ç’më bëre, Diell!

me penelin e argjendtë

në të rënë

fekse shumëngjyrta perënduese…

Shtanga

në konfiguracione mahnitëse

ma dërgove qenien

jashtë fantazisë time

aq sa m’u duk

sikur shëmbëlleve nëpër lëndinën,

që puthej me muzgun.

Qëndro, më the!

me dorën e zgjatur

të zjarrtë

akoma të pashuar…

Jo… jo pas meje!

Çapkënshe

më joshe

më përkëdhele,

mos më gënjeve,

që perëndove pak më vonë

vetëm për mua?

Me shpejtësi drite

kapërdive ngjyrat,

kur pe Hënën

duke zbuluar hiret e saj

në një mënyrë të panjohur

pak e turpëruar,

lozonjare,

ndjellëse…

Lërma Hënën… ah… hëna!

Dëshmitarja e gjitha dashurive…

Premtomë, Diell!

që nesër do puthemi

sërish në lindje!

 

/www.QendraPress.com/