Çaste poetike me poeten:- Zyrafete MANAJ

BABA IM ME PLIS TË BARDHË

—————————————

Baba im, burrë i rritur në dhimbje,

me shtat të gjatë si kreshtat e maleve,

me plis të bardhë që shndriste

si dritë e atdheut në ballin tënd.

Tivari të njohu i pari,

me britma që iu varën ditëve si mjegull,

me hije që binin mbi djemtë e pafajshëm,

me vdekjen që ecte pranë si ujk i uritur.

Ti pe të shuar jetë e shpresë,

por zemra jote e pathyeshme,

e mbarti dhimbjen pa u thyer,

e mbajti betimin: “Do të jetoj për liri.”

Pastaj vitet e ndalimit, kur flamuri ishte krim,

kur ngjyrat e tij duhej të rrinin në heshtje,

si zjarre të fshehura në shpirt.

Por ti, Baba, me duar që dridheshin vetëm nga zemërimi,

e ngrite përsëri në erën e ndaluar,

si dëshmi se kombi nuk shuhet,

sado të rëndë e bëjnë terrin.

Ecje me hap të burrit që nuk përkulet,

si Isa i Boletinit në gjak e në besë,

një lis i pashkëputur nga rrënjët,

një strehë e pambaruar për të gjithë ne.

Plisi yt i bardhë

ishte amaneti që e mbaje në ballë,

dhe shpirti yt – një flamur i brendshëm

që askush nuk mundi ta ndalë.

Sot, kur të kujtoj, Baba,

e ndjej frymën tënde si erë mali,

e shoh qëndresën në çdo hap të jetës sime,

e dëgjoj zërin tënd brenda meje

-Atdheu mbahet me nder

Dhe unë, fëmija yt,

ruaj në zemër hijen tënde të shenjtë

plisin, dhimbjen, stoicizmin e Tivarit,

flamurin që e barte, kur nuk guxonte askush.

Ti je dritë që nuk shuhet, Baba,

je rrënjët e mia,

je historia jonë gjallë.

/QendraPress/