Çaste poetike me poeten;Ajne IBËRHYSAJ
AROMË ELBASANI
———————————————–
Ti më dhe mbretërinë e dashurisë,
lotit ia besove harkun e triumfit.
Shikoj qiellin e pafund
e copëza të heshtura
në sytë e mi përflaken si mozaik.
Në valët e Shkumbinit është filli i zanit,
vargjet dhe eshka ndritën.
Në bebëzat e syve plot mall
përfytyrova një lumë
që rrjedh e s’njeh kufi.
Rrugë të humbura
lahen nën valët e Shkumbinit.
Në djep të gurtë qenka përkund shpirti.
Ende kalaja i përkund ëndrrat e mia,
ende jemi me shpirt foshnje.
Mëngjesi me aromë Elbasani,
me lotin e fundit ma lau gëzimin.
Buzëqesha tamam si fëmijë,
trupin e përkunda
me ninulla kënduar mbretërve.
Këtë të diel, kambanat ranë fort,
sytë u lanë me vesën e shenjtërimit.
Unë t’i pashë sytë e tu…
Kishin veshur vellon blu.
Të gjitha u shenjtëruan,
aty nën gjurmët e hapave të heshtur,
ende të freskëta mbi kalldrëm
si trajta të pashlyeshme.
Aty është dhe bekimi i Olimpit!
Koha si lumë ma dha valën e shpirtit
e për herë të parë bebëzat e syrit
ia vodhën zjarrin Zeusit.
Elbasani u ba za i shpirtit tim!
Këtë mëngjes, aroma e tij m’i përflaku vitet,
frymën time e mori në prehër të vet.
/www.QendraPress.com/