Çaste poetike me poeten:Albina TREBICKA
ÇUDI SI ËSHTË NJERIU…
——————————————————–
Vërtitem nëpër ëndrrat e shpërndara në vite
Tek asnjëra nuk gjej vend ku të pushoj
Disa prej tyre fshihen pas shpinës time
Disa që kam pranë nuk po i njoh…
Nëpër ëndrrat e zbrazura nga nata
Kërkoj të fsheh ca dëshira të së hershmes
Ç’do t’i bëjmë tani të fshehtat tona
Mbyllur me çelës sirtarëve të së djeshmes?!
Dashuritë e vyshkura vetëm kujtime lanë
Ëndrrat e vjetra nuk i duhen më askujt…
Shpresat e zverdhura janë hutuar nga vitet
Dhe vitet e lodhura një ditë marrin fund.
Ndodh nganjëherē që mërzitemi shumë
Se mendojmë ca punë që s’i mbaruam dot
Ndodh shpesh herë që gëzohemi shumë
Dhe na duket sikur JETA po fillon sot..
Çudi si është NJERIU !
A.TREBICKA 22.05 2020 ( ripostim)