Çaste poetike me poeten:Anila KODRA
KURRË NUK E KUPTOVA
———————————————
Ndodh, se kuptoj ndonjëherë veten time,
Por kurrë se kuptova as këtë të molepsur botë,
Ndihem shpesh, si një pikë vese në agime ,
Ndonjëherë si molusk, që as nuk frymoj dot.
Shpesh jam si dëborë, që verës shkrij ngadalë,
Edhe shi i rënë nga retë gri, ndihem ndonjëherë,
Bëhem pyll që fëshfërin, herë shkëmb lart në mal,
Digjem dhe si diell, freskoj si kroi në verë.
Prap them, mos jam dhimbja në vjeshtë e një peme,
Kur gjethet i bien qetë, pa zhurmë në tokë?
Apo, jam vargu i një poezie, apo poeme,
Që jeta herë e ngre dhe herë e përplas fort ?
Mos jam një kala, që kurrë spata bedenë?
Apo një dallgë shkumbardhë në detin e pafund ?
Apo një bletë e vogël, që luleve mbledh polenë?
Vallë, mos jam një flutur që era e përkund?
Kërkoj ende dhe sot , mos ndoshta jam lule,
Dhe lulishtari nuk vaditi rrënjën-shpirt dhe sot?
Thahem pak nga pak se më mungojnë pekulet,
I them vetes, sa pak mirësi ka sot në këtë botë!
Mos ndoshta jam një oh, i del nga një gulçimë,
Një oh, që del nga dhimbje e shpirtit të trazuar,
Kur qielli i dëshirës përkulet në puthje e përqafim,
Ndoshta, jam një oh, dhe kurrë se kam kuptuar.
Mund të jem një oh,
por dhe një e zgjatur ehhh,
Kur fle në krahë dëbore,
kur zgjohesh, prap se di kush je .
/www.QendraPress.com/