Çaste poetike me poeten;Bukurie BINJAKU
GRIMCA LUMTURIE!
———————————–
Ca grimca lumturie, foshnjore i gëzova si dhuratë
Ca tjera pak më vonë, nxënëse në bankën e parë
Kur dilnim në oborrin e shkollës, me shokë e shoqe loznim
Si vëllezër e motra, djallëzitë kurrë s’i njohëm
Grimca lumturie, që koha i përfshiu, si shiu mbi tokë
“Farë” edukate, mbjellë në shpirtra fëmijërorë, të brezit varfanjak
Me çantë basme qepur tegel, nga duart e arta, të nënës
Të nënës së lodhur, e palodhshme, me kohë prej kohe, të zënë
Pika lumturie, në mes dashurisë, së pashtershme si burim i kulluar
Mbi vesën e freskët, të çdo zemre pikuar
Si pika floriri rridhte respekti, i vogli të madhin ndihmuar
Varfëria materjale e pavlerë, para pasurisë shpirtërore
Njerëzit, këpucë të grisura, rroba të arënuara nga halli, jo për modë
Por shpirt e zemër, bujarinë trashëguar deri në palcë të kockës
Fëmijët nëpër shkolla, dilnin doktorë e mësues të shkëlqyer
Asaj kohe disipline e cilësie, me djersë balli diplomuar
Pika lumturie gëzonte dhe libri, se kish miq të ngushtë
Që flinin me lexuesin në një jastëk, pasi bisedonin gjatë
Kur zgjoheshin çdo mëngjez, në mëndje thelluar nga një brazdë
Brazdë me plot dije, dinjitet e pastërti shpirtërore,
Me pasion të shkolluar, në zanate të shumëllojshme,
Pika lumturie, mbase bukën thatë e me të pakta e hanin
S’luftonin për dietë, se në lëvizje fizike punës nuk ju ndanin
Pika lumturie me ushqime të shkëlqyera, biologjike
Kur gatuanin nënat në shtëpi, lagjes aromë e mirë kudo arrinte.
©#Origjinal. ©Bukurie Binjaku. /www.QendraPress.com