Çaste poetike me poeten:Dea Basha
Senza Luna
—————-
Këndoj në largësi, buzë detit në mbretërinë e pranishme
Kur trazirën e përmallshme e loton një nostalgji
Kur butësinë e flokut ta rindjej qafës së lagësht
Në ftohtësinë ku valët klithin për virtytin e pashpirt
Detit kalërojnë njëbrirëshat nëpër shtegun e shkumëzuar
Shpërlarë nga bardhësia e safirëve në kurorë
Qiejve zvarrë tërhiqen guaskat e prangosua
Pranë pellgut ku ofshamat torturohen në faj tokësor
Trup i ndezur, flakë që rrjedh, tejpërtej secilës fije
Qafëkafshuar e shpirtndritur, petale që s’kanë hije
Bien këndshëm, syshkëlqyer, mbi mëndafshin e bardhë
Çelkan lule pa nektarë, o Zot, të preka unë ty vallë?
Larg hënës u magjepsa, ëndërrsisht nën ty e strukur
Shihja lart jelet e dimërta dhe brirët kristalmbushur
Sa puthjet e safirta përjetësisht në fund të detit
U varrosën, ashtu si guaskat, nën gërvishtjet e qiellit
A i ndjen, o fëmijë njerëzor, thonjtë që të rrëshqasin
Nëpër fytin e njomë kur hëna vullnetplotë
Derdh vetveten mbi ty, a i ndjen, o bir i djallit,
Safirët e vetmuar që të dremisin në kurorë
Njëbrirësha të përflakur kalërojnë në mugëtirë
Pranë detit në të largëtën mbretëri
Këndoj dashurinë
Guaska të robëruara zvarriten pa ndjeshmëri
Buzë qiellit në të pranishmen mbretëri
Mbaj zi…mbaj zi…
DEA