Çaste poetike me poeten;Dije Demiri FRANGU
AS KËTË VERË NUK ERDHA
——————————————–
As këtë verë s’ e mbolla bredhin
Tek varri yt, nanë
Ishte verë që kam ngrënë thonjtë
Deri në gjakosje të gishtave
Si në filmat fantastik
Më patën rënë qepallat për tokë
U bënë gjethe çetine që i barte era
Disi u mbusha frikë për vete
Si bocë baruti u bëra
Po t’ kallxoj
As në Konferencën Ndërkombëtare mbi të Drejtat e Grave
Nuk shkova
Duke pritur diçka që kisha nisur moti ta prisja
E që s’kishte zë e që s’ më jepte dritë
Këtë verë beso nanë, u fol për shumë vdekje të reja
Të çuditshme si në romanet e Agata Kristit
-nuk u kujtova hiç për ty
E një gjumë i rëndë nuk më shkoqej ditë as natë
Pastaj, u zura keq me të dashurin
Në kafenenë më të frekuentuar të qytetit,
Në një vend pa drita
E putha të dehurin e qytetit
-beso nga mëshira
Shumë ditë më iknin duke menduar
Ta varja veten në një lis
Apo në fijet e kujtesës
Nuk e vizitova varrin tënd
Nuk të mbolla lule rreth tij
As këtë verë nanë
Se ka nis bota po më ngjan
Në një varr të madh të tharë.
/www.QendraPress.com/