Çaste poetike me poeten;Donika DABISHEVCI
𝗧’𝗦𝗛𝗧𝗔𝗡𝗔 𝗕𝗔𝗧𝗔𝗥𝗘
————————-
I hekurti lloz shembet përtokë.
Thyhet, shkërmoqet.
Dyertë e bodrumit t’errët
çahen dysh prej shqelmave.
Paraushtarak’ n’çetë vërshojnë dhomën,
si lum’ i egër, i harbuem që dhunon
gjithçka gjen para.
Hapësinën e mlon nji shtjellë egërshane tërbimi.
Vner vjellin, shajnë e bajnë shamatë,
tuj britë, tuj kërcnue.
Ulurima t’pandigjueme ma parë
prej bishash t’egra.
Mveshun me ftohtësi akullsisht t’përbindshme,
sytë e lëngshëm pikojnë, rrjedhin epsh.
Dhëmbët
ju xixëllojnë.
Gojët e jargavituna dojnë gjak.
Lypin gjak.
Fmijtë struken si këlysh n’gji t’nanave.
Mshefin kryet e bahen dysh.
Si fetus n’mitër.
Nanat gurëzohen frike për fmijtë.
As za me i pehatë t’vogjlit s’kanë.
Veç t’dridhuna.
Si përkundje t’mrama djepi!
Urrejtja e ujitun me shekuj
shpërthen si nji i fjetun vullkan.
Llava e papërmbajtshme
kapërdinë edhe foshnjat n’djep.
Ata
dhembshuni s’kanë!
Kanë ardhë veç me vra.
Mas t’shtanave batare…
shuhet vajklithma e fmijve…
E kur asgja ma s’pipëtin,
kris humori e nis gajasja,
n’gjuhë t’huej!
/www.QendraPress.com/