Çaste poetike me poeten;Drita FEJZA
VENDLINDJA
——————————
Do të shkojmë në Vendlindje, biri im
Aty ku kanë lindur gjysh e stërgjysh ..
Ku lindi nëna, babai ,motra e vëllai
ku i thuhet ,bukës bukë e ujit ujë
do të hyjmë në Vendlindje me hapa të sigurt
qetësisht e pa bujë
Zhurmën nuk e duan njerëzit e Vendlindjes sime, biri im
Të ushqyer dhe të rritur me muzikë
Njerëzit më të dashur që ke njohur ndonjëherë
Liridashës në shpirt
Do të shkojmë në Vendlindje, biri im
Ti njohësh nga afër ato rrugë ku ende i dëgjoj hapat e moshatarëve të mi,
me ëndrrat që merrnin krahë
të etur për liri
Lirinë e fjalës, lirinë e shpirtit!
Do ta vizitojmë shtëpinë, nënës, dhe mos
mendo se nëna jote ka më shumë se një shtëpi
Ajo ka veç një më të madhe se vetë zemra
Kosovën për ku do të nisemi tani
Do të shkojmë në Vendlindjen time, biri im
Ti vizitojmë varret ku pushon e mira ime Laoret
Ku pushojnë prindërit që më sollën në jetë
dhe njerëz të mirë që nuk e patën të lehtë
Na e thanë shpirtin e na e thanë gojën
Përgjysmë na e lanë lojën, lojën e jetës
Kur të shkojmë atje, vetë s’do të jemi ne
Në çdo vend ka një lis me rrënjë
Plagë e vragë, dashuri e krenari
Ndriçon udha nga yjet që ranë për Liri
Do ti vizitojmë fshatrat qytetet istikamet ku kanë rënë
Muze të mbushura me fotografi që rrëfejnë histori
Në fletore kujtimesh firmën do tu lëmë
Unë dhe ti, dëshmi
E vogël është firma ime
Nënshkrimin ua dha populli që i kujton përherë
Të lavdishme e kishin jetën, të lavdishëm si ata s’ka të tjerë
Mos i harro as ti biri im, edhe pse i lindur dhe rritur në Berlin
Do të shkojmë në Vendlindjen time
Biri im
Do të hyjmë qetësisht dhe pa bujë
Ti djalë me dy Atdhe mos u ndje i huaj
Është Vendlindja e rrënjëve tua!
/www.QendraPress.com/