Çaste poetike me poeten;Drita Rubjeka ZENELI
Fundvjeshtë dhimbje
——————————
E ligshtuan ditëdhimbjet vjeshtën e artë,
E rënduan stinën filizat e rrëzuar pa pritur pranverën,
U rrëzuan e ranë bashkë me gjethevjeshtat,
Të artat e bardha i mori qielli të dritojnë me yjet,
Të florinjtat i mbajti toka të pemëzojnë sërish,
Sa trisht kjo vjeshtë, vjeshtë mortesh e ligsht,
Thua të ishin të fundit gjetheari rënë e ikur sot?!
Unë lutem kështu të jetë,
Tash po mbledh disa gjethe,
Një herbar filizash po ndërtoj si homazh,
Si funebër dhimbje dëgjoj notat në çdo gjethe,
Në herbar po vendos emra në çdo gjethe,
Si në një muze kujtimesh në pikëvrerë dhimbjeje,
Rekuiem vjeshtor gjetherënë në herbarin muze,
Trisht fundvjeshtor…
/www.QendraPress.com/