Çaste poetike me poeten;Eli Zeneli
U KTHEVA SËRISH NË PETRALBË
————————————————
Lumi me nëntë plagë në shtat qenka shtrirë si kreshnik
Në mes të bjeshkëve të gjelbëruara nga poshtë
Në mes të bjeshkëve të thinjura nga lartë
E po rrjedhka i rraskapitur nën Urën e vashës.
U ktheva sërish në Petralbë.
Kalaja e Skënderbeut qëndron hijerëndë
E flet me heshtjen e saj të thellë
Për të gjithë ata që kanë mësuar
Ta lexojnë testamentin e dhimbjes.
U ktheva sërish në Petralbë.
Po kërkoj gjurmët e fëmijërisë
Të vajzës sy-jeshile
Po kërkoj shoqet, po kërkoj shokët
Për t’iu treguar se loja kukafshehtas
Ka përfunduar
E duhet të mblidhemi në qendër të Petralbës
Por asnjëri nuk më përgjigjet
Ndërsa heshtja tallet me mua.
U ktheva sërish në Petralbë
E kërkoj xhaxhain në shtëpi e s’e gjej
Më thonë se banon nën Blirin e Madh
E kërkoj babain në shtëpinë e shndërruar në gërmadhë
Gurët e themeleve heshtin e tinzisht i fshijnë lotët
Një bilbil këndon këngën për shtëpinë e braktisur.
U ktheva sërish në Petralbë.
Nga dëshpërimi më largon një zë i dashur
Është zëri i mësueses sime të parë
Është përqafimi i saj i ngrohtë Janë puthjet e saj
Nuk kanë thënë kot:
Mësuesja është nëna e dytë.
Eli Zeneli