Çaste poetike me poeten:Farie BISHA
Ëndrrat…
——————-
Nëse do të ishte e shkruar,
do të kishin ndodhur,
mendoja me vete.
Ecim përpara,
peng të së kaluarës,
një pelerinë e rëndë prej pluhuri kujtimesh,
qëndron në shpatullat tona,
si mburoja e metalit të luftëtarit të mesjetës.
Pas një fije shprese të kapur,
si një rrjetë merimange që i reziston erës,
Dëshira, një ëndërr që asnjëherë nuk u realizua,
qëllimi – një ishull paqeje në horizontin e largët.
Jeta ka planet e saj të paparashikuara,
rrugë të pazbuluara, pa harta,
erëra që na çojnë në det të hapur.
Nuk është dorëzim, është ndjesi lirie,
frymëmarrje e thellë me mushkëritë e plota.
E kaluara, ajo barka e vjetër,
braktisur në bregun e afërt.
Atëherë, të ëndërrojmë apo jo,
është pyetja.
Nëse realiteti vjen ndryshe,
për çfarë ato na duhen?
Pa ëndrra, a do të kishte ngjyra bota?
Një anije shprese që duket në horizont,
pasi ishullin e së kaluarës e kemi braktisur.
Si Konti i Monte Kristos që nuk pa më mbrapa,
në rënie të lirë, hidhesh…
dhe era e ëndrrave fillon fluturimin.
Atëherë mund të them, nëse është e thënë,
do të bëhet…
Lundrimi drejt tyre le të jetë synimi,
aty ku thyhet heshtja e dëshirave të pashprehura.
E shpirti gjen tokën e tij të shumëpritur.
& & &
Mungesë…
———————–
mendoi, kur praninë e tij nuk e ndjeu.
Atje valët ndalën vibrimin,
energjitë e padukshe u ndërprenë.
Mungesë…
Kur koha iku pa u ndalur,
dhe një hapësirë absurde i ndante…
Magjia humbi në drejtim të panjohur…
Unë nuk jam Penelopa që pret në Itakë,
telajon duke thurrur netëve të gjata.
As Sirenë që marinarët e gjorë çorodit
me këngën e saj në Anthemoessa.
Po ashtu dhe magjitë e Circes nuk më përkasin,
thellë reflektoi. Në ishullin Aeaea,
pasiguria mbretëronte mbi gjithçka tjetër.
Ajo ishte mbretëreshë në ishullin e saj,
thellë ndikoi në fatin e Odiseut.
Mungesat sjellin pasoja…
Ajo nuk priste që erërat ta humbnin në detin të hapur.
Thellë thellë adhuronte Nefertitin E Egjiptit të largët… F
arie Bisha Luzern
& & &
Gjysmën tjetër të hënës …
————————————-
edhe pse nuk e shohim, nuk do të
thotë që nuk e ndriçon dielli.
Shumë interesante, mendoi.
Iluzion i krijuar nga këndvështrimi ynë i kushtëzuar.
Dritë dhe hije, i duhen formës për të krijuar thellësinë.
Pa kontraste,
nuk do të kishte kuptim as jeta,
në marrëdhënie të përhershme me njëra-tjetrën.
Asgjë nuk është plotësisht e fshehur.
Kufiri, një dilemë e ngatërruar.
Në këtë rast, duhet imagjinata.
Dhe pak pluhur magjik yjesh…
Marrje energjie, kur hëna tokës i afrohet.
Prandaj të dashuruarit asaj dëshirat ia nisin.
Ashtu si Mikelanxhelo në mermerin e Carrarës,
imagjinoi Davidin,
me siguri të reflektuar nën dritën e hënës.
Bukuria gjendet më parë në sytë tanë.
Ne i japim formë, ngjyrë, jetë…
Nëse fantasia nuk funksionon në këtë planet,
më mirë ta përziejmë pluhurin kozmik,
në një tjetër jetë…
Farie Bisha Luzern
/www.QendraPress.com/