Çaste poetike me poeten:Farie BISHA

Rrjedhë…
———————–
e çuditshme është jeta!
Ka gjëra që nuk mund t’i kuptosh.
Fill i lidhur, nyje që zgjidhen natyrshëm
në një kohë të caktuar,
nëpër damarët e jetës.
Realiteti,
uji që rrjedh mes gishtave,
tek burimi ndërsa etja kërkon të shuhet…
Lumenjtë derdhen në det,
për inerci të ligjeve natyrore,
ashtu edhe energjia jetike gjen
sinkronizimin absurd të pashpjegueshëm.
Megjithatë, nuk dua ta sfidoj,
do të doja thjesht të dija
çfarë kostelacionesh ka ndjekur?
Edhe pse vetë rrugën time e kam shkelur,
gjithçka nuk mund ta shpjegoj:
si erdhi dhe më mori me vete
në rrjedhën e saj të inercisë…
Ndërsa unë, si një sfidues
me kajak, në mes të rrjedhës
mundohem t’i rezistoj vorbullës
marramendëse ku jam gjendur,
nuk më mbetet veç të kërkoj ekuilibrin
mes rrymës dhe me anë të
saj të lundroj drejt detit…
Farie Bisha 6.10.25 Luzern.
/QendraPress/