Çaste poetike me poeten:Fatbardha Behri Kaçi
TIRANA
————————–
Rrugëza të ngushta,
ndërtesa të larta egoiste.
Grisen të brishtat kujtime,
rrëzohet frymëmarrja,
sytë terratisen …
Kërkojnë shtëpitë e bardha,
oborret e blerta,
dyer e zemra hapur …
Qyteti e qielli, lëkurë lodhur,
gërvishtur nga betonet kryeneçe.
As ngjyrat aty- këtu ftuese gëzimi,
as dritat e netëve ,fare harrimi,
nuk joshin dot.
Dielli i zhgënjyer perëndon.
E nesërmja gulçon …
& & & &
BUZËMBRËMJE VERE
——————————————
I vagullt, vibrues, tis’ i buzëmbrëmjes,
rrëshqet në cep dite të nxehtë…
Qielli i Gushtit ende fsheh në gjoks yjet.
Aty – këtu ato nxjerrin kryet,
zogj të brishtë kotësie …
Regëtimë xixëllimi drithëron çdo qelizë
mall i paemër, angështës,
ëmbëlsisht pushton hapësirë të ndjenjave …
Cila hyjni më përkëdhel me duar flladi,
lotët m’ i fshin ?.
…e papeshë .., .fluide …
Teksa dallëndyshet kthehen në fole,
unë tokësorja,….
dëshiroj fluturimin.